Ky njeri nuk mundet që të fitojë kurrë në kushte normale. Pas anktheve të pafund të sezonit të kaluar, Maks Verstapen fillimisht e preku, pastaj e humbi, dhe në fund e fitoi titullin botëror në Formula 1. Piloti holandez i Red Bullit triumfoi në Çmimin e Madh të Japonisë në pistën e Suzukës, në një garë të dominuar nga reshjet e dendura dhe nga aksidenti. Përplasja që në nisje bëri që konkurrimi të shtyhej me orë, dhe rrezikoi të anulohej për fare, por pastaj organizatorët ndërruan mendje. Kampioni i botës e bëri të vetën, duke dalë fitues në vijën e finishit, nën flamurin me kuadrata, por drama ishte pas shpatullave të tij. Sharl Lëklerku i Ferrarit u duk se e mori vendin e dytë duke lënë pas pilotin tjetër të Red Bullit, Sergio Perezin, por nuk qe e thënë të përfundonte ashtu.
Komisarët e garës e cilësuan të gabuar veprimin e ferraristit dhe e dënuan me 5 sekonda, gjë që e zbriti në vend të tretë. Kjo i dha titullin Verstapenit. “E çfarë mund të them, – u shpreh ai pas gare, – e pabesueshme për ne. Është e veçantë që ia dalim këtu në Suzuka, përpara tifozëve japonezë”. Maksi mundi të thoshte vetëm kaq pasi u pushtua në një përqafim të madh nga teknikët e tij të skuadrës, dhe nga e dashura. Ky titull ishte vërtet dramatik, por me gjasë jo sa ai që Verstapeni fitoi vjet, dhe që ishte i pari, pikërisht në xhiron e fundit të garës së fundit të sezonit në Abu Dabi, ku pas një tjetër spektakli për atak kardiak, parakaloi ish-kampionin dhe rivalin e tij të madh, Ljuis Hamilton. Historia e tij duket se do të jetë gjithashtu e jashtëzakonshme.
Sfidanti.al