Kombëtarja “firon” në prag të Italisë: Jo Balliu e Gjimshiti, në dyshim Broja!

Ndeshja është në prag, ndërsa problemet shtohen. Kombëtarja shqiptare vazhdon të jetë e detyruar për të bërë ndryshime ndërsa bëhet gati për miqësoren e nesërme ndaj Italisë. Dy futbollistë të rëndësishëm si Ivan Balliu që luan për Rajo Vajekanon në La Ligën e Spanjës, dhe Berat Gjimshiti i Atalantës në Serinë A, nuk vijnë dot. Trajneri Edi Reja mëson se klubet e tyre nuk i lejojnë për shkak të shqetësimeve fizike që kanë pasur. Një tjetër lajm i keq është se Armando Broja ka ardhur po ashtu me probleme fizike nga Çelsi dhe është konsultuar me stafin mjekësor. Po ashtu si Broja, edhe sulmuesi Kristal Abazaj që luan tek Istanbulspori në Superligën e Turqisë.

Reja ka vendosur të bëjë ndryshime në listë duke thirrur dy sulmuesit e Partizanit, Skukën e Carën, ndërsa i pari shënoi dy gola ndaj Bylisit në kampionat. Partizani ka në ekip edhe Bitrin e Hadroin. Miqësorja ndaj Italisë, e parashikuar për këtë të mërkurë në 20:45 në “Arenën Air Albania” duket se po përgatitet në kushte të vështira. Kjo sepse ekipi kuqezi do të plotësohet vetëm sonte në mbrëmje, rreth  24 orë para ndeshjes, kur me grupin do të bashkohen gjashtë futbollistë, Elseid Hysaj, Keidi Bare, Myrto Uzuni, Qazim Laçi, Odise Roshi dhe Arbnor Muçolli.

Sfidanti.al