Rezultati 1-0 na rri ngushtë, por gjithsesi është një “kostum” që ia vlen që të vishet. Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi me fitore fazën eleminatore të Kupës së Botës 2022 duke triumfuar në fushën e Andorrës, në një ndeshje ku duhej të merrte shumë më tepër, por ku duket se lojtarët kuqezinj e ndjenë më shumë sesa duhet barrën e favoritit. Mjaftoi një gol i Lenjanit 4 minuta para fundit të pjesës së parë, por ekipi i trajnerit Edi Reja krijoi 8-9 raste për të shënuar, e duhej të kishte fituar më thellë.
Të shumtë si rastet, por jo si golat, ishin kartonët e verdhë, diku për protesta e diku për ndërhyrje loje, që e treguan qartë tensionin e ekipit tonë përfaqësues në një ndeshje që ishte e detyruar për t’u fituar, dhe që vinte pas disa muajsh inaktiviteti me fanelën e kombëtares. Shumë prej lojtarëve tanë patën mundësi shënimi, ndërsa Andorra rrezikoi vetëm një rast në pjesën e dytë pas një gabimi të kapitenit dhe portierit Etrit Berisha. Kombëtarja e nis me fitore dhe tani pret ndeshjen e dytë, atë ndaj Anglisë në “Arenën Air Albania” të dielën e 28 marsit në orën 18:00.
Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Hysaj, Bare, Gjasula, Memushaj (Laçi 62’), Lenjani (Roshi 80’), Cikalleshi (Broja 80’), Manaj (Uzuni 62’). Tr. Reja