Kënaqësi të dëgjosh Hajnkesin për De Brujnen, Kimihun e Zylen!

Jup Hajnkes padyshim që është një “enciklopedi” apo njëri nga “të urtët e futbollit”. Trajneri i Bajernit duhet dëgjuar me vëmendje kur flet, me përvojën, zgjuarsinë dhe mprehtësinë e tij. Këtë herë ai u pyet gjerë e gjatë, për disa nga emrat e njohur të futbollit europian dhe të Bajernit. Veterani i stolit ndau veç një lojtar, Kevin De Brujnin.

“Kevin De Brujn (është ai që aktualisht admiroj më shumë), – pohoi ai, – edhe pse nuk luajti aq mirë vjet, këtë sezon jam gati t’i jap atij fanelën e fundit që kam. Në atë pozicion, ju duhet të keni një lojtar të tillë. Ai është një mendimtar dhe një udhëheqës në mesfushën ofensive. De Brujne është padyshim lojtari më i jashtëzakonshëm i momentit në Europë”.

Le të kthehemi tek Bajerni, dhe Hajnkes vlerëson klubin bavarez për politikën e afrimit të talenteve të rinj. “Si shembull po marr Kingsli Komanin, – sqaroi 72-vjeçari, – që kur erdha këtu, ai ka bërë një shpërthim eksploziv dhe mund të bëhet një lojtar i jashtëzakonshëm”.

I ri është edhe Xhoshua Kimih, por çfarë mendon trajneri i tij? “Kimihut i parashikoj një të ardhme të madhe, ai është një talent i madh, por duhet të përmirësohet në disa drejtime, – ishte gjykimi i prerë, – ai duhet të mësojë të kursejë energji për të ruajtur forca për në mbrojtje. Xhoshi duhet të bëhet më stabël në mbrojtje”.

Së fundi, Hajnkesi i madh lavdëron mbrojtësin e ri të qendrës, Niklas Zyle (Suele), i cili duhet të rivalizojë me gjigandë të tillë si Mats Humels e Zherom Boateng. “Ai nuk është ende i barabartë me ta, por që të dy duhet të bëjnë kujdes, sepse ai do ta çajë rrugën e tij”, – i paralajmëroi Hajnkesi dy veteranët e tij, kampionë të botës.

Sfidanti.al