Katër gurë për të vrarë një “zog”, plani i ri i Barçës për Nejmarin!

Nuk po lënë gur pa lëvizur, që kjo ditë të vijë sërish. Barcelona ka gati një tjetër plan të madh për të marrë Nejmarin nga Paris SG, dhe presidenti i Zhozep Bartomeu beson të ketë goditur në shenjë. Katalanasit janë gati të sakrifikojnë shumë në mënyrë që një superyll si braziliani të jetë sërish në “Kamp Nou”, për të luajtur në krah të Mesit dhe Suarezit .

Është gazeta e Barcelonës, “El Mundo Deportivo” që titullon për “një truk prej 170 milionë eurosh”, dhe sqaron pikërisht se Barça dëshiron të përfshijë 4 futbollistë në operacionin për brazilianin, Kutinjon, Rakitiçin, Ymtitinë dhe Dembelenë.

Filip Kutinjo, i marrë për rreth 160 milionë euro, do të detyrohet të humbet për shumë më pak, përkundër zërave se brazilianin e kërkojnë në Angli, klube si Mançester Junajtidi apo Liverpuli.

Usman Dembele ishte një tjetër blerje tepër e shtrenjtë e vitit 2017, që i kushtoi katalanasve 105 milionë euro fillimisht, plus 40 milionë që do të paguheshin më vonë. Edhe për Dembelenë interesohet Liverpuli, por flitet edhe për Bajernin.

Në propozimin për Nejmarin bëjnë pjesë, sipas “El Mundo Deportivos” edhe mbrojtësi francez, Samuel Ymtiti, kampion i botës, por që po kalon periudhë të vështirë tek Barça. Gjithashtu, edhe kroati Ivan Rakitiç, tashmë 31-vjeçar, që është prej 5 vitesh në “Kamp Nou”, pasi luajti 4 vjet për Seviljen.

Nuk dihet nëse presidenti i PSG-së, Al Helaifi, do të pranojë propozimin e Barcelonës, dhe për momentin nuk ka asnjë sinjal nga kryeqyteti i Francës. Nejmar cilësohet si tepër i rëndësishëm në Paris, por gjithsesi klubi francez është më i disponuar të bisedojë për të, sesa për Kilian Mbapenë.

Sfidanti.al