Shtatë skuadra të tjera u kualifikuan në Ligën e Europës, pas ndeshjeve të pesta në grupe. Salcburgu, Zeniti dhe Dinamo e Zagrebit siguruan edhe vendin e parë në renditje, ndërsa kaluan për në turin e dytë gjithashtu Betisi, Fenerbahçe, Krasnodari dhe Sportingu i Lisbonës. Më herët, “biletën” e kishin prerë edhe 7 ekipe të tjerë si Çelsi, Frankfurti, Lacio, Arsenali, Dinamo e Kievit, Leverkuseni dhe Zyrihu.
Nga këto, vetëm Ajntrahti i Frankfurtit (në foto) dhe Salcburgu i Austrisë i kanë fituar të 5 ndeshjet, duke pasur nga 15 pikë secili. Në ndeshjet e pesta, Frankfurti mundi 4-0 Marsejën, Salcburgu ia doli 1-0 ndaj Lajpcigut, ndërsa Sëlltiku iu afrua kualifikimit me fitoren në fushën e Rozenborgut.
Arsenali nuk e pati të vështirë në Kiev ndaj Vorsklës duke fituar 3-0, ndërsa skuadra tjetër angleze, Çelsi, triumfoi në fushën e vet ndaj PAOK-ut të Selanikut, 4-0, me dy gola të Olivie Zhirusë, dhe një të Alvaro Moratës. Të forta skuadrat ruse, me Zenitin që fitoi 1-0 ndaj Kopenhagenit dhe Krasnodarin që ia doli 2-1 ndaj turqve të Akhisarit.
Milani arriti fitore të mirë, 5-2, ndaj Dudelanzhit nga Luksemburgu, duke iu afruar kualifikimit, por duke mos e arritur ende.
Sfidanti.al