Kaliniç merr fanelën e Shevçenkos: E doja Milanin!

Nuk është Marko Van Basten apo Andrij Shevçenko, por as nuk ka nevojë që të jetë. Secili njeri krijon fatin e tij, dhe Nikola Kaliniç po përpiqet që ta realizojë këtë çdo vit e më shumë. Sulmuesi kroat tashmë do të veshë fanelën e Milanit, atë fanelë me po atë numër të Shevçenkos, ukrainasit magjik. Njëzetenëntëvjeçari shkoi në “San Siro” që nga Fiorentina.

I formuar në akademinë e njohur të Hajdukut të Splitit, Kaliniç i habiti gazetarët me përgjigjet e tij kur ishte 19 vjeç dhe fitonte vetëm 3 000 euro në muaj, ndonëse ishte golshënuesi më i mirë i ekipit. “Paratë do t’i fitoj në ligat e mëdha”, ishte përgjigja e tij, dhe në moshën 20-vjeçare ia doli tek Blekbërn Roversi, ku mori 1 milionë paund stërlina në vit.

Pas dy viteve në Premier Ligë, shkoi në Superligën e Ukrainës ku luajti për Dnipron duke shënuar 49 gola në 125 ndeshje, dhe më pas në Serinë A me Fiorentinën, ku realizoi 33 gola në 84 ndeshje. Me 35 ndeshje e 14 gola për Kroacinë, Kaliniç mund të quhet një blerje shumë e mirë që do të kushtojë gjithsej 25 milionë euro.

Sfidanti.al