A mund të thuhet se “Zonja e Vjetër” humbi dy pikë, apo ndoshta barazimi ishte rezultati i drejtë? Përfundoi 1-1 Derbi i Italisë në Torino mes Juventusit e Milanit, një rezultat i padrejtë për të zotët e shtëpisë që dominuan për pjesën më të madhe të ndeshjes, por edhe që kuqezinjtë mund të thuhet se e merituan duke pasur parasysh 6 mungesat, që u bënë 7 me dëmtimin e mbrojtësit Kjer. Si mundet të kesh kaq minuse e të mos e ndjesh ndaj ekipit të Masimiliano Alegrit?! Trajneri juventin mund të jetë i kënaqur të paktën për paraqitjen e ekipit të tij, të cilit i “rrinë ngushtë” 2 pikë në 4 ndeshje në Serinë A, ndërsa milanistët ishin edhe shumë më të lodhur duke pasur parasysh sfidën e tmerrshme në Liverpul, në krahasim me atë ndaj Malmoes që pati ekipi piemontez.
Alvaro Morata shënoi që në minutën e 4-ët, por kjo nuk mjaftoi dhe kuqezinjtë ishin me karakter të fortë, të çelikosur sidomos pas provës së zjarrit në “Anfild” me Liverpulin. Ante Rebiç i tregoi trajnerit Pioli se mund të llogaritet si “shtyllë” e ekipit në ndeshje të tilla të mëdha, duke zëvendësuar mjaftueshmërisht mirë Zllatan Ibrahimoviçin apo Olivie Zhirunë, që të dy të dëmtuar. Kroati barazoi në 76’ me kokë, duke ia marrë kohën mbrojtësve juventinë. “Një reagim i madh, – tha Pioli, më pas, – donim ta fitonim ndeshjen edhe pse ishte e vështirë. Pas barazimit provuam ta bënim. i kënaqur nga rritja e Diazit dhe Leaos”.
Sfidanti.al