Juventusi gabon me Sasuolon, por Sarri mbron yjet e tij!

Gabime janë bërë edhe më parë, ndërsa CR7 po rritet. Këto ishin fjalët e Mauricio Sarrit pas barazimit 2-2 të Juventusit të tij me Sasuolon, rezultat i arritur madje brenda në Torino. Kampionia e Italisë u duk pa shkëlqim, e lodhur, dhe sikur mezi po shtynte minutat në fushën e stadiumit “Alianc”, krejt ndryshe nga sa pritej prej yjeve të këtij niveli.

“Po luajmë shumë ndeshje, – tha trajneri, – nuk është e lehtë të rikuperosh sidomos psikologjikisht. Gjithsesi, mund të kishim fituar. Përsa i përket Bufonit, duhet thënë se gabime ka pasur edhe më përpara, ndërsa Ronaldo është në rritje, shpejt do ta shohim në maksimum. Me lojtarët fola pas ndeshjes, fola pak rreth 30 sekonda, në fund të fundit nuk luajtëm aq keq”.

Leonardo Bonuçi kaloi Juven në epërsi në minutën e 20-të, por Boga barazoi dy minuta më pas. Në pjesën e dytë, Kaputo shënoi golin e avantazhit për miqtë në 47’, ndërsa Kristiano Ronaldo ekzekutoi saktë në minutën e 68-të, një penallti të fituar nga Dibala. Ky i fundit e nisi ndeshjen nga stoli, pas ngarkesës në mesjavë ndaj Atletikos në Champions.

Sfidanti.al