Duket si diversion, Reali i paska premtuar Murinjos pas krahëve të Zidanit!

Nuk mund të thuhet sesa i vërtetë është si lajm, por po ashtu nuk e konsiderojmë dot “a priori” si diçka të rremë. Mediat në Angli dhe në Spanjë shkruajnë se Reali i Madridit i premtoi Zhoze Murinjos një rrogë prej 114 milionë eurosh, dhe i kërkoi që të priste me durim derisa të shkarkohej Zinedin Zidan, për të marrë skuadrën përsëri në dorë. Lajmi vazhdon që Murinjo e hodhi poshtë këtë ofertë, sepse e kishte ndarë mendjen për të marrë drejtimin e Totenhemit, siç edhe bëri.

Mos vallë është një diversion, pra për të krijuar një krizë në Madrid, me Zidanin që mund të zemërohej me drejtuesit e klubit që i paskan punuar pas krahëve? Vetëm koha do ta tregojë, por ekziston edhe mundësia që Reali të ketë punuar në dy pista njëkohësisht, pra edhe duke besuar tek Zidani, por edhe duke pasur një mundësi rezervë nëse trajneri francez nuk do të arrinte ta çonte skuadrën tek fitorja.

Në fund të fundit, këto nuk janë gjëra të jashtëzakonshme në futboll, pasi është e pamundur të sigurosh shërbimet e një trajneri të mirë thjesht duke i telefonuar në momentin që shkarkon atë që ke. Padyshim që ka një “prapavijë”, veçse realiteti është që Murinjo është në stolin e Totenhemit, ndërsa Zidan vazhdon në Madrid.

Sfidanti.al