Juventusi është italian, dhe europian, mund Kievon dhe “fluturon”!

Është e vështirë të gjesh rezultate me shifra të thella nga kjo skuadër. Juventusi i Masimiliano Alegrit është tipik italian në mënyrën sesi e mendon dhe sesi e arrin fitoren, veçse duket që larg se është shumë i fortë dhe se mund të bëjë më tepër se kaq. Ndaj Kievos, kundërshtar me diferencë të ndjeshme teknike, kampionët e Italisë u mjaftuan me një 2-0, në një ndeshje të luajtur sikur po bënin ndonjë gatim në mikrovalë. Kontroll loje, gol, ritëm i mjaftueshëm për të mos u rrezikuar, ndonjë rast tjetër dhe pastaj një gol i dytë. Menu perfekte e Serisë A, veçse nga një ekip me shumë autoritet.

Gonzalo Higuain shënoi dy gola të tjerë, duke arritur në 21 rrjeta madje pa asnjë penallti në sezonin e tij të parë si juventin. Për të gjetur debutues të tjerë të Juventusit me të paktën 20 gola, duhet të kthehesh në sezonin 1957-1958 për të gjetur dy të famshmit, uellsianin Xhon Çarls dhe argjentinasin Omar Sivori, një nga dobësitë e Avokatit Xhani Anjeli. Nëse Higuain shënoi, njeriu i ndeshjes ishte argjentinasi tjetër, Paulo Dibala. Ndeshje e përsosur e tij, edhe pa gol.

Alegri u kujdes jo edhe aq shumë për Barcelonën, pasi la pushim vetëm pak lojtarë si Bonuçin (zëvendësues), Pjaniçin dhe Manxhkiçin. Trajneri kishte të drejtë sepse Roma ishte vetëm 6 pikë larg në nisje të ndeshjes dhe nuk mund të lejohej asnjë shaka.

Xhixhi Bufon kaloi legjendën e Interit, Havier Zanetin, për numrin e ndeshjeve në Serinë A. Portieri i Italisë ka tani 616 ndaj 615 të argjentinasit, ndërsa në vend të parë mbetet ish-kapiteni i Milanit, Paolo Maldini me 647. Besohet se Bufon mund ta kalojë sezonin e ardhshëm. Juventus ka 77 pikë pas 31 ndeshjeve të luajtura, ndaj 68 të Romës që ka një ndeshje më pak.

Sfidanti.al