Juventusi e provoi, pas Atalantës në Itali presin Sasuolon!

Më në fund po vjen koha e të vegjëlve edhe në Itali. Ndërsa vendi është në krizë ekonomike dhe, siç thotë Saviano “edhe mafia po largohet nga Italia e Jugut, kaq e varfër është bërë”, ka nisur epoka e investimeve inteligjente. “Mbjellje” e kujdes në Akademi, dhe ja ku kemi realitete të tillë si Atalantën, Veronën, por edhe Sasuolon. Kjo e fundit tronditi Juventusin, jo duke e mundur, por duke e përmbysur e duke i marrë një barazim spektakolar 3-3, nga ata me të cilët Italia nuk është mësuar edhe aq.

Nuk mjaftuan Danilo e Higuain, pasi Gjuriçiç, Berardi e Kaputo realizuan përmbysjen nga minuta e 29-të deri në të 54-ën. U desh të shënonte Aleks Sandro që pika të shpëtohej, dhe të arrihej në 77 pikë, 7 më shumë sesa Atalanta, por që mund të jenë vetëm 6 më pak se Interi, nëse të besuarit e Kontes e fitojnë ndeshjen e tyre.

Kritikat në rrjetet sociale ishin të ashpra për kampionët, duke u shfaqur nostalgjia për kohën e Alegrit. Edhe zv. drejtori i “La Gazeta delo Sportit”, Andrea Di Karo, pati një opinion ku shkruante: “Titull me frena dore, klubi duhet të arsyetojë për Sarrin”! Vetë trajneri pohoi se skuadra ka momente të shkëlqyera dhe momente kur “ikin dritat”, diçka që e shqetëson. Për fat të keq, Kristiano Ronaldo këtë herë luajti dobët.

Sfidanti.al