Ju e dini, humbja në “Superklasiko” është fatale për trajnerin e Bokës

Ajo që pritej ndodhi dhe Gijermo Barros Skeloto nuk është më trajner i Boka Juniorsit. Mjaftoi disfata e rëndë në finalen e Kupës Libertadores që një emër i rëndësishëm për klubin argjentinas të largohej para kohe. Humbja ishte 1-3 në Madrid ndaj rivalit të përjetshëm, River Plejt, dhe shumëzoi me zero çdo sukses të mëparshëm.

Skeloto ka qenë një lojtar i madh i Bokës, 6 herë kampion i Argjentinës, 4 herë fitues i Kupës Libertadores, dy herë fitues i Kupës Sudamerikane, dhe i Superkupës Sudamerikane, por ashtu dy herë fitues i Kupës Ndërkontinentale (përballë Realit në 2000 dhe Milanit në 2003).

Si trajner, ai fitoi dy herë titullin në Argjentinë me Bokën, në 2016 e 2017, si dhe Kupën Sudamerikane në 2013 me Lanusin. Gjithsesi, kjo tani është e kaluara dhe duket se Skeloto do ta vazhdojë karrierën në Ligën Profesioniste Amerikane. Ishte vetë Skeloto që vendosi të largohej.

“Përtej dhimbjes që nuk fituam dot kupën, unë largohem me paqe në shpirtin tim sepse dhashë gjithçka kisha”, – u shpreh trajneri. Presidenti i Bokës, Daniel Anhelisi (Angelici) u shpreh se “edhe pse dhimbja dhe dëshpërimi nuk kanë kaluar, ne e kuptojmë se gjëja më e mirë për Bokën është ndryshimi, për ta nisur sezonin e ri me një trajner të ri”.

Sfidanti.al