Duket se po mbarojnë ditët e errëta për Adnan Januzajn, futbollistin kosovar që zgjodhi të luajë për përfaqësuesen e Belgjikës. Paraqitjet mbresëlënëse të tij me Sanderland kanë tërhequr vëmendjen e trajnerit Roberto Martinez, i cili e sheh atë si një futbollist shumë të rëndësishëm për të ardhmen. “Januzaj është shumë i talentuar dhe menjëherë sapo ta shohësh të tërheq vëmendjen”, ka thënë trajneri i Kombëtares belge.
“Shumë pak futbollistë janë aq kreativ sa Adnani me këmbën e majtë. Në fillim të sezonit ka pasur vështirësi me përshtatjen në ekipin e ri, por tani ai po luan rregullisht, duke treguar potencialin që ka. Ai është një lojtar që sapo e merr topin e di se çfarë duhet të bëjë. Januzaj është shumë i rëndësishëm për kombëtaren tonë dhe ne sigurisht e llogarisim pjesë të saj”, ka përfunduar Martinez.