Irani sulmon Klinsmanin, i kërkon FIFA-s që ta shkarkojë!

Nga fusha dolën të lumtur, por u mërzitën shumë nga ato që u thanë më pas. Futbollistët e Iranit e bënë autokritikën në mënyrën më të mirë pas humbjes 2-6 ndaj Anglisë, duke mundur 2-0 Uellsin veçse një legjendë gjermane i preku shumë. Jurgen Klinsmani, ish-sulmuesi i kombëtares “teutone” deklaroi pas sfidës me uellsianët se lojtarët iranianë i bënë shantazh arbitrit që ai të përjashtonte me karton të kuq portierin Henesei, diçka që edhe ndodhi. Klinsmani tha se kjo mënyrë sjelljeje është pjesë e kulturës së iranianëve, dhe u nënkuptua se këto fjalë nuk i drejtoheshin vetëm futbollistëve, por edhe shoqërisë iraniane në përgjithësi.

Nga Irani ka ardhur menjëherë kërkesa që FIFA ta shkarkojë Klinsmanin nga detyra që është pjesë e grupit teknik që analizon Kupën e Botës në Katar, dhe po ashtu është opinionist për BBC-në. Jo vetëm autoritetet në Teheran, por edhe trajneri i kombëtares, portugezi Karlos Keiroz, e kritikoi ashpër gjermanin, duke deklaruar se askush nuk mund të cënojë integritetin e ekipit të tij. Ai e cilësoi sjelljen e Klinsmanit si prej qenieje superiore dhe komentet e tij si të turpshme. Irani ndërkaq përgatitet për ndeshjen e fundit në grup, atë ndaj SHBA-së, që ka ngarkesë shumë të madhe emocionale dhe politike, ndërsa komentet nga ish-ylli i Gjermanisë mund t’i shtojnë “benzinë zjarrit”.

Sfidanti.al