Interi theu tersin pikërisht me Lautaron e Xhekon, a nuk është për titull?!

Drejtuesit dhe trajneri Simone Inzagi e kishin një bindje se ky moment do të vinte. Një skuadër aq e fortë sa Interi, kampione në fuqi e Serisë A dhe e plotësuar me lojtarë me karakter, nuk mund të rrinte gjatë në krizë rezultati e ndonjëherë edhe loje, dhe ja ku ndodhi ndryshimi. Si një vullkan që mezi pret të shpërthejë, edhe fitorja e shumëpritur e Interit në kampionat ishte një shpërthim. Sukses 5-0 ndaj Salernitanës në “San Siro”, një shfryrje dufi, një thyerje e mallkimit të vitit 2022 dhe pikërisht me ata për të cilët dëshirohej më shumë. Lautaro Martinez shënoi 3 gola, ndërsa kishte qenë në krizë të thellë, dhe Edin Xheko shtoi dy të tjerë. Epërsia ishte e plotë, me 60 për qind zotërim topi, 16 gjuajtje (6 Salernitana) dhe 11 në kuadrat (3). Interi kryeson tani Serinë A me 58 pikë, vetëm 1 pikë më shumë sesa Napoli e Milani, ndërsa golaverazhi është prej skuadre kampione, me më shumë se dy rrjeta për ndeshje, pikërisht 60 të shënuar e 22 të pësuar, që do të thotë mbrojtja e dytë më e fortë e kampionatit.

Sfidanti.al