Kënaqësia nuk është e plotë, por jo gjithmonë mund të jesh një skuadër e shkëlqyer. Bajerni e di mirë këtë dhe rëndësi tani për tani ka fakti se po shkohet drejt titullit të 10-të radhazi, ndërsa diferenca me Dortmundin është 8 pikë kur duhen edhe 10 javë deri në përfundim të Bundesligës. Gjithsesi, prova e sotme ndaj Leverkusenit në “Alianc Arenë” nuk është nga më të lehtat, pasi luhet me ekipin e vendit të tretë, dhe ekipin e tretë më të mirë edhe për shënimin e golave. Bavarezëve u mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Manuel Nojer, Leon Gorecka, Alfonso Dejvis dhe Korenten Toliso, që janë të dëmtuar, ndërsa Lykas Hernandez është i pezulluar. Skuadra e trajnerit Nagelsman fitoi 5-1 në fazën e parë në Leverkusen, por momenti është tjetër dhe kampionët nuk kanë qenë në formën maksimale, aq sa mezi fituan 1-0 në Frankfurt, falë dyshes Kimih (në foto)-Sane. Levandovski synon të arrijë në 30 gola në kampionat dhe të vazhdojë përpjekjet për të thyer rekordine tij me 41 gola në sezon në Bundesligë, si dhe t’i afrohet sa më shumë rekordit absolut të Gerd Mylerit. Bajerni kryeson renditjen me 58 pikë ndaj 50 të Dortmundit, ndërsa Leverkuseni është shumë më poshtë, me 44 pikë.
Sfidanti.al