Interi prezanton Kristjan Asllanin: Jetoj me topin në këmbë dhe në mendje!

Përpara tifozëve doli disa ditë më parë. Kristjan Asllani nuk është më lajm nëse paraqitet si futbollist i Interit, por klubi milanez dëshiron që publiku zikaltër ta njohë sa më mirë mesfushorin shqiptar që do të jetë pjesë e skuadrës, duke nisur nga sezoni i ri. Në televizionin zyrtar interist u postua një video e shkurtë prezantuese prej 28 sekondash, kur Asllani paraqitej në mënyrë artistike, duke dhënë mesazhin e tij. Motoja e prezantimit është që në futbollin profesionist nuk duhet të ndalosh kurrë, të mos pushosh për kilometra të tëra, ndërsa mund të ecës përpara vetëm duke pasur topin në këmbë dhe në mendje, siç bën Asllani. “Unë jam Kristjani, unë jam Interi”, – e përfundon mesazhin e tij, mesfushori kuqezi.

Futbollisti i kombëtares shqiptare u bë pjesë e Interit pas marrëveshjes me Empolin, në një huazim 1-vjeçar kundretjt 4 milionë eurove, me detyrimin për të blerë kartonin vitin e ardhshëm me 10 apo 12 milionë euro të tjera. Asllani spikati gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar duke u bërë titullar për ekipin nga Toskana, e duke u kërkuar nga klube të shquar italianë si Interi, Milani apo Napoli. Në intervistën e parë për zikaltërit, 20-vjeçari theksoi se mezi pret që të nisë aventurën në Milano, dhe se do të japë gjithçka për të ndihmuar ekipin për të fituar trofe.

Sfidanti.al