Interi mban topin, Juve krijon rastet, Derbi i Italisë pa gola

Interi kaloi një provë të madhe në rrugën drejt një titulli të mundshëm në Itali, pas barazimit në fushën e skuadrës kampione. Juventusi pati epërsi në raste, edhe pse jo gjithnjë në lojë, por e pati të pamundur të shënonte qoftë edhe një gol. Në një përballje të fortë fizike, juventinët u dukën më të shkathët para portës së Handanoviçit, por Mario Manxhukiç nuk pati fat në pjesën e parë, dhe pas pushimit, po ashtu Asamoah në pjesën e dytë.

Interistët protestuan fort për një prekje me dorë të Benatias në zonë, që ata e kërkuan penallti. Prekja me dorë ishte, ndërsa gjyqtari e quajti të pavullnetshme, madje as nuk denjioi që të kërkonte ndihmën e teknologjisë VAR. Skuadra e trajnerit Spaleti mori atë që deshi, ndonëse jo në mënyrë edhe aq bindëse apo “elegante”. Mbajti shumë topin, bëri edhe presing shpesh, por nuk pati aq lojë sa për të depërtuar në mbrojtjen vendase. Sidoqoftë, mund të quhet sukses (edhe me fat) që ndaloi ekipin që shënon më shumë gola në Serinë A, 41 në 15 ndeshje të mëparshme, gati 3 gola për çdo përballje.

Interi vazhdon kryesimin me 40 pikë, dhe Juventusi arrin Napolin në kuotën 38, veçse napolitanët mund të rikthehen në krye nëse fitojnë ndeshjen e së dielës, në orën 15:00, në “San Paolo” ndaj Fiorentinës.

Sfidanti.al