Antonio Konte nuk dëshiron të dëgjojë për vend të dytë, por murit me kokë nuk i bihet. Titulli duhet të lihet për t’u fituar një herë tjetër, ndërsa duhet bërë diçka për të harruar fjalët e ish-presidentit Morati që paska thënë se “titujt e Juventusit janë 36”. Po “kalçopoli” “sinjor presidente”? Gjithsesi, le të bisedojë Suningu me Moratin, ndërsa djemtë e Kontes kishin punë me Napolin dhe arritën ta fitonin pastër 2-0 ndeshjen me ekipin e Xhenaro Gatuzos. Kjo do të thotë se u ruajt vendi i dytë me 79 pikë, një më shumë se Atalanta që fitoi në fushën e Parmës, ndërsa të shtunën është supersfida direkte në Bergamo, që do të përcaktojë se kush do të jetë nënkampioni i Serisë A.
Danilo D’Ambrozio dhe Lautaro Martinez ishin autorët e golave, me pjesën e parë të luajtur shumë mirë, por pas pushimit u ndje lodhja. Vetëm Handanoviç ndali të kaltërit nga Napoli. Martinezi pati edhe disa fjalë për ata që spekullojnë shumë për të ardhmen e tij. Hyri në pjesën e dytë, shënoi gol, dhe bëri me shenjë sikur thoshte “flisni, flisni”. Në të vërtetë, këto kohë nuk ka qenë vetvetja, edhe pse këtë herë shënoi.
Sfidanti.al