Interi është gati ta ngjyejë Italinë me koloritin zikaltër!

Fitorja në fushën e Krotones duhej të ishte teorikisht më e lehtë, por edhe ndaj vendit të fundit nuk është e thjeshtë t’ia dalësh kur je duke iu afruar titullit. Ndonjëherë ndeshjet bëhen lëmsh dhe Interit iu deshën 69 minuta për të kaluar në avantazh kur Kristian Eriksen çliroi shokët e skuadrës, trajnerin Konte si dhe tifozët që e ndiqnin ndeshjen nga televizori. Gjithçka mbeti e hapur deri në fund (Hakimi shënoi në 93’), por sidoqoftë synimi u arrit, u morën 3 pikët dhe titulli është ndoshta disa orë larg.

Interi ka 82 pikë, 14 pikë larg Atalantës që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e saj, ndërsa duhen edhe 4 javë deri në përfundim. Nëse bergamaskët nuk fitojnë, atëherë zikaltërit shpallen kampionë të Italisë për herë të 19-të në histori. Një triumf që as nuk mendohej para dy vjetësh kur Konte mori drejtimin e skuadrës, dhe gjithashtu optimizmi nuk u rrit shumë edhe pse vjet Seria A u mbyll me vetëm 1 pikë më pak se Juventusi. Një sezon i vështirë, me një eleminim herët nga Championsi, për të cilin milanezët dhe trajneri i tyre u kritikuan shumë, po ashtu me eleminim në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë me Juven, por gjithsesi po fitohet gjëja kryesore, titulli që ka 11 vjet që nuk është i Interit.

Sfidanti.al