Inter mos u mërzit, Sevilja ka fituar 6 Liga të Europës në 14 vjet!

Vetëm triumfet e mëdhenj të Realit të Madridit në vitet 50-60 në Kupën e Kampionëve, janë më të mëdha se këto. Sevilja fitoi Ligën e Europës në finalen e Këlnit ndaj Interit, me shifrat 3-2, dhe ky ishte trofeu i gjashtë në 14 vjet për skuadrën spanjolle. Madrilenët ia kishin dalë të fitonin 6 kupa të kampionëve në 11 vjet në vitet 1955-1966! Antonio Konte nuk duhet të mërzitet aspak, pasi humbi ndaj formacionit më ekspert të këtij konkurrimi, që nuk e ka problem se cilin trajner ka në stol, pasi vazhdimisht ia del mbanë.

Interi kaloi i pari në avantazh me anë të Lukakut me 11-metërsh, ndërsa ishte vetë sulmuesi belg që e fitoi penalltinë madje italianët kërkuan që Diego Karlos të dilte me të kuqe, për ndërhyrjen sikur të ishte në regbi. Zikaltërit kërkuan një tjetër penallti më pas, kur topi u përplas në krahun e Karlosit, ndërsa nervat ishin të ngritura gjatë gjithë kohës. Holandezi De Jong përmbysi shifrat me golat në minutat 12 e 33, por Diego Godin barazoi sërish në 36’, duke shënuar në një tjetër finale pas asaj të Championsit për Atletikon ndaj Realit. Në pjesën e dytë, Sevilja e mbajti më shumë topin, ndërsa të dyja skuadrat krijuan raste, më shumë Interi. Gjithsesi, golin e shënuan spanjollët, madje ishte autogoli i Lukakut në 74’. Tiumf i vërtetë për trajnerin Hulen Lopetegi, një shpërblim i merituar pas halleve me Spanjën e Realin, ndërsa trajneri i Interit, Konte, duhet të presë ende për trofeun e parë europian.

Sfidanti.al