Është folur shpesh për të, aq sa ndonjëherë të duket se po teprohet. E vërtetë, por jemi në periudhë kur afrojnë transferimet dhe lojtarët e kërkuar kthehen në “telenovela”, derisa u mësohet destinacioni. Marash Kumbulla është një nga më interesantët, ndoshta mbrojtësi më i lakuar në Itali, me Interin, Juventusin e Lacion që bëjnë duel (të paktën, në media) për kartonin e tij. “La Gazeta delo Sporti” shkruan se Verona “po fërkon duart” nga konkurrenca, dhe se tani kërkon 30-35 milionë euro për kartonin, në vend të 20 milionëve që ishte pak muaj më parë.
Për qendërmbrojtësin 20-vjeçar ka interes edhe nga klube nga Anglia apo Gjermania, ndonëse Interi është cilësuar favorit. Gjithsesi, të mos nxitohemi sepse edhe për Vernerin favorit ishte Liverpulit, por duket se po e merr Çelsi. Media e njohur italiane thekson se “përderisa tre skuadrat e interesuara janë në krye të renditjes, ato që luftojnë për titull, edhe Kumbulla duket si një “titull që ecën”. E përditshmja vlerëson se Lacio ka një shans të mirë për shqiptarin, meqë të dy janë patriotë, dhe shton se largimi i Kumbullës nga Verona duket si një nga siguritë e pakta të periudhës së ardhshme të transferimeve.
Sfidanti.