Të kuptohemi, trajneri e ka fituar me meritën e tij postin që do ta ketë edhe sezonin e ardhshëm. Mediat gjermane (revista “Kiker) shkruajnë se Milani ka vendosur të ndajë rrugët (që nuk u bashkuan kurrë) me Ralf Rangnikun, pasi ka konfirmuar në stol Stefano Piolin. Rangniku nuk ishte i interesuar thjesht për të qenë drejtor teknik, dhe u shpreh “aufviderzehen”, ndërsa lombardët duhet të zgjidhin të ardhmen e legjendës Paolo Maldini, që ka mbetur padyshim i ofenduar.
Zllatan Ibrahimoviç ka një meritë të madhe në zhvillimet e fundit, sepse falë tij Milani po fluturon, siç e tregoi edhe në fitoren 2-1 (të merituar) në fushën e Sasuolos, ku suedezi realizoi të dyja rrjetat. Ibrahimoviç ka 7 gola këtë kampionat, duke luajtur që nga janari, madje duke hequr muajt e ndërprerjes për shkak të koronavirusit. Ai ka mesataren gati 1 gol për dy ndeshje, aspak gjë e vogël për moshën tij 38-vjeçare. Milani ndërkaq është ngjitur në vendin e pestë me 59 pikë, ndonëse kanë një ndeshje më shumë sesa Roma (58 pikë) e Napoli (56). Gjithsesi, me Piolin kanë ecuri të shkëlqyer me 5 fitore e një barazim në 6 ndeshjet e fundit, një ritëm për titull kampion.
Sfidanti.al