Nëse flasim për statistikat, asnjë 39-vjeçar nuk ka qenë ndonjëherë si ai në Serinë A. Zllatan Ibrahimoviç është një “lloj” më vete, një “specie” ndoshta në zhdukje apo që nuk ka ekzistuar kurrë, dhe ja ku vjen një tjetër konfirmim. Fitorja 3-1 e Milanit në “San Paolo” ndaj Napolit u arrit me dy gola të suedezit, por edhe me perlën e parë në Itali të Hauges. Zllatani realizoi dy herë, iu anulua një tjetër, dhe tani është shënuesi më i mirë i Serisë A me 10 gola në 8 ndeshje, por nga të cilat ka luajtur vetëm 6. Kristiano Ronaldo është i dyti me 8 gola në 5 takime.
Një gjigand si Silvio Piola kishte bërë po kështu si Ibra, por kur kishte qenë 29 vjeç, jo 39, ndërsa suedezi barazoi patriotin e tij, Gunar Nordal. Vetëm Marko Van Basten mbetet i paarritshëm me 12 gola në 8 ndeshje në 1992. Milani shënoi me Ibrën nga një gol në çdo pjesë loje, ndonëse u vu në vështirësi nga napolitanët. Mertens shkurtoi shifrat në 63’, por përjashtimi me të kuq i Bakajokos prishi ekuilibrat në fushë dhe ia bëri më të lehtë fitoren miqte. Jens Hauge shënoi për 3-1 në minutën e 5-të shtesë.
Milani ishte pa trajnerin Pioli të izoluar me koronavirus, ndërsa tek Napoli nuk ishin dy shqiptarët, Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani, edhe këta për Kovid. Tetë skuadra janë të ndara vetëm nga 6 pikë, ndërsa Juventusi në gjithë këta vjet, që nga 2011-2012 e deri tani, nuk e kishte parë veten në vend të katërt me 4 pikë më pak se kreun. Renditja: Milani 20 pikë, Sasuolo 18, Roma 17, Juventus 16, Interi 15, Napoli 14, Atalanta 14, Lacio 14.
Sfidanti.al