I paharruar legjenda e futbollit durrsak dhe shqiptar, Vladimir Ajazi

U shua shpejt, në moshën që duhet të quhet e re, 69-vjeçare, ndërsa pas la emrin e tij të madh. Vladimir Ajazi, portieri i dikurshëm i Lokomotivës së Durrësit (sot Teuta), u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, që e detyroi kolosin të ulej në karrocën me rrota të invalidit. i lindur në Kukës, por i njëhsuar me Durrësin, Ajazi veshi gjithashtu fanelën e Shkëndisë së Tiranës me trajnerin Zyber Konçi. Në vitet 70-të, u bë portier i Lokomotivës, duke luajtur me brezin e shquar të futbollit durrsak, me Haxhi Ballgjinin, Janin, Kapidanin, Nicën, Leshtenin, Himën apo Dollakun.

Tifozët e donin dhe, siç informon kolegu ynë nga Durrësi, Bujar Qesja, mjaft të rinj e kishin idhull. Jo rrallë në stadium, publiku thërriste në kor “Ali, Ali”, duke e krahasuar Lad Ajazin me Muhamed Aliun, legjendën e boksit amerikan dhe atij botëror. Lad Ajazi ishte përveçse një sportist shumë i mirë, në radhë të parë një njeri i vërtetë, humori i të cilit nuk do të harrohet.

Sfidanti.al