Shumë gjëra nuk mund të mendohen përpara se të ndodhin, ndaj tronditja për humbjen e radhës së Mançester Sitit është masive. E mbiquajtur si “skuadra më e mirë në botë” nga rivali Jurgen Klop, ajo e trajnerit Pep Guardiola pësoi një zhgënjim të jashtëzakonshëm, duke u mposhtur brenda në stadiumin “Etihad” nga Uolvesi, me shifrat 0-2. Kjo do të thotë se, pas 8 ndeshjesh të luajtura në Premier Ligë (gjithsesi, shumë pak), kemi një shkëputje të Liverpulit kryesues me plot 8 pikë nga Siti i vendit të dytë.
A mund të thuhet se gara për titull thuajse ka përfunduar, dhe se Liverpuli mund të nisë festën e çmendur të fitores? Tepër shpejt të nxirret ky përfundim, edhe pse është e qartë se të kuqtë janë shumë më pranë realizimit të arritjes titanike, fitores së titullit pas plot 30 vitesh pritjeje. Nuk kuptohet qartë se çfarë po ndodh me skuadrën 1-miliardë euroshe të Guardiolës, por duket se ngopja pas fitores së titullit dy herë radhazi, po bën të vetën.
Uolvesi ishte e qartë se ishte ringjallur, pas një fillimi të dobët të sezonit, siç e treguan edhe në Turqi, në fitoren e Ligës së Europës. Plot 4 000 tifozë ishin në Stamboll, dhe mijëra të tjerë në Mançester, por nuk u zhgënjyen. Adama Traore ishte autor i dy golave në minutat e fundit, 80’ e 90’+5. Jo vetëm kaq, por Uolvesi pati raste në pjesën e parë me anë të Raul Himenezit dhe Patrik Kutrones, si dhe kërkoi një penallti me Himenezin, pas një dueli me Fernandinjon.
Sfidanti.al