Hapu “Gines”, 85 shuplaka ruse si shpagim  për femrat e basketbollit!

Ju kujtohet disa kohë më parë kur basketbollistët tona prekën qiellin e shtatë , madje duke grisur edhe fletët e “Ginesit”, kur vetëm në një ndeshje kampionati një basketbolliste arrinte të shënonte 70 pikë! Pale ç’ndodhte  të nesërmen, kur  ‘varrosej” rekordi nga një  tjetër sportiste e “harbuar “, e cila  kullufiste 85 apo 100 pikë ! Atëherë, disa besonin se janë hapur koshat e basketbollit janë bërë si magazinat e 97-tës,  të tjerë  tregonin  se basketbolli shqiptar po bënte reformën.. s’ kishte nevojë për 5-she, por luhej edhe vetëm me një-she!. Ato ditë harbimi, Federata e Basketbollit dehej me pije falso, ishte aq e lumtur dhe krenare, sa kur ndiqnin basketbollin amerikan nga ekrani , ndjenin keqardhje për rekordet e tyre, që po vdisnin njeri pas tjetrit…

Por koshat i basketbollit , ashtu si portat e futbollit, hapen dhe mbyllen si fizarmonikë, si të jetë vërtetësia e garës. Ndodhi ajo që pritej, apokalipsi nuk na shqitet,  shfaqet sapo mbërrijnë ndeshjet nderkombëtare.  Kombëtarja e femrave në basketboll, ka jetuar një humbje përtej historikes  mbrëmjen e djeshme, pikerisht përballë përfaqësueses ruse. Një nga ato sterhumbje  që tregojnë se sa vlen lëkura jonë në tregun europian.  Ndeshja e zhvilluar në sallën sportive “Feti Borova”, u mbyll në shifrat 122-37 (4-44, 17-21, 6-32, 10-25), në favor të Rusisë dhe vajzat tona “rekordmene”  u turpëruan me 85 pikë diferencë, aq sa ishte tallja jonë me publikun, kur këtë shifër e shënonte vetëm njëra nga “rekordmenet” tona.

Sfidanti.al