Nuk dëshiron të nxitohet dhe sidomos ka frikë se mos skuadra e tij pa përvojë mund të “marrë kot”. Vërtet që Napoli fitoi 2-0 në stadiumin e Frankfurtit, në sfidën e parë të raundit të dytë të Championsit, por mbeten edhe të paktën 90 minuta dhe Luçiano Spaleti e di se çfarë është në gjendje të sjellë futbolli. Në vitet 80-të, Interi fitoi 2-0 në fushën e Bajernit dhe më pas u eliminua pasi u mund 1-3 në “San Siro”. Përse të mos i ndodhë kjo gjë edhe napolitanëve të tij? “Ishim të mëdhenj, – pohon trajneri, – por, do të kemi telashe nëse tregohemi mendjemëdhenj. Ne luajtëm shumë mirë, ndërsa ata luajtën “ala italiana”, që të gjithë prapa. Shanset tona për kualifikim janë gjithmonë 50 me 50 për qind!”
Sfidanti.al