Përfundimisht, kjo lojë nuk ka lidhje me normalitetin. Do të jetë Pep Guardiola që do të tentojë të bëjë çmendurinë e radhës, më të madhen në historinë e transferimeve të futbollit. Plot 233 milionë euro është gati ai të japë për të marrë në skuadër Lionel Mesin. Të paktën, kjo është ajo që raportohet nga “Dejli Mirrër” që flet për 200 milionë paund stërlina.
Që nga rekordet që bënë bujë me 1 milionë euro apo stërlina në fund të viteve 70-të, tek 233 milionët për Mesin, nuk kanë kaluar as 40 vjet. Shpenzimi i Guardiolës është llogaritur me këto pjesë, 116 milionë euro për kartonin e Mesit që do t’i jepen Barcelonës dhe 30 milionë euro në sezon si rrogë për Leon në 4 sezone. Kjo do të thotë 600 000 euro në javë, sipas mënyrës sesi jepen rrogat në Angli.
Kontrata e Mesit në “Kamp Nou” përfundon në 2018, ndërsa klauzola e transferimit është 250 milionë euro, por ylli argjentinas nuk ka dëgjuar për ta rinovuar dhe vlera e klauzolës detyrimisht do të bjerë. Një futbollist që hyn në vitin e fundit të kontratës, e ka shumë më të lehtë të largohet nga një skuadër.
Mediat britanike shkruajnë se prania e Guardiolës në stolin e Sitit është arsye e fortë që Mesi të mendojë seriozisht për ta ndërruar fanelën e jetës së tij me atë të “Qytetarëve”, veçse sërish duket e vështirë që të ndodhë. Duhet ta shikojmë që të bindemi.