“Më në fund topi nis të rrotullohet pas 66 ditëve”. Ky është titulli i mediave gjermane ndërsa në orën 15:30 nisi kampionati i parë i rëndësishëm i Europës dhe i botës, në vijim të një ndërprerjeje të gjatë për shkak të koronavirusit. Pikërisht në 15:30, startuan 5 ndeshje, në stadiumet e Dortmundit, Lajpcigut, Dyseldorfit, Augsburgut dhe Hofenhajmit. Ndërsa, kapaciteti i tyre i përbashkët është afërsisht 240 000 vende, të pranishëm gjithsej në ta, janë vetëm 1 500 njerëz, të ndarë me nga 300 për çdo stadium.
Gjithsesi, dhjetëra e qindra mijë tifozë të humbur në tribuna mund të thuhet se kompensohen nga audienca televizive. E gjithë bota ka kuriozitetin për të ndjekur ndeshjet e para të vërteta, edhe pse “fantazmë”, pra pa tifozë. Rreth 1 miliardë teleshikues besohet se janë para televizorit për të ndjekur ndeshjet e kësaj jave, nga e shtuna në të hënën. Bundesliga gjithnjë ka qenë e ndjekur për shkak të futbollit sulmues dhe të hapur, e sepse stadiumet janë Arena moderne, dhe gjithnjë plot e përplot. Sidoqoftë, në mungesë të Premier Ligës, La Ligës, Serisë A dhe të Ligës së Parë të Francës, apo të ligave në vende të tjera si Brazil, Argjentinë, Rusi, Kinë, Portugali, Holandë apo Belgjikë, të paktën ekziston kampionati i Gjermanisë.
Sfidanti.al