Kur shkruhen në letër, janë shumë të bukur dhe japin kënaqësi ndërsa lexohen. Projektet e reja janë si prezantimet e lojtarëve dhe sidomos të trajnerëve, që fillimisht krijojnë një shpresë ndoshta edhe krej iluzive, por që ngroh shpirtin e tifozëve, qoftë edhe për disa ditë. Kështu po ndihen edhe përkrahësit e Milanit, ndërsa klubi i madh italian synon të ngrejë kokë. Problemi më i mprehtë është se mungon diçka që e ka emrin “para”, “denaro”, prandaj detyra e planifikuesve pritet të jetë tepër e vështirë.
Shefi ekzekutiv, Ivan Gazidhis, do të emërojë Ralf Rangnikun si përgjegjës të sektorit teknik, por me gjasë gjermani nuk do të ulet në stol. Detyra e tij pritet të jetë shumë e madhe për ta lejuar, dhe ja ku del emri i Julian Nagelsmanit si teknik i Milanit. Një tjetër gjerman, njohje e Rangnikut, dhe tepër i ri, vetëm 33 vjeç. Një trajner shumë ambicioz, ai pati sukses me Hofenhajmin dhe tani me Lajpcigun. Projekti parashikon lojtarë të rinj, me kosto të ulët, ndërsa “çelësi” i suksesit do të ishte një organizim si ai i Sakit tek Milani, apo i Krujfit tek Barcelona, me filozofi të njëjtë nga ekipet e fëmijëve deri tek të rriturit. Nuk dihet sesa mund të realizohet, por Milani do ta provojë, ndërsa shumë nga lojtarët e vjetër në ekip pritet të largohen.
Sfidanti.al