Gjimshiti pa Gasperinin te Atalanta

Largimi i Xhanpiero Gasperinit nga Atalanta në fund të sezonit ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth së ardhmes së ekipit dhe po ashtu edhe të liderit të mbrojtjes, Berat Gjimshitit. Mbrojtësi shqiptar ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm dhe më besnikë të trajnerit Gasperini, duke u transformuar nën drejtimin e tij në një mbrojtës elitë të Serisë A dhe një figurë kyçe në skemën me tre mbrojtës që e karakterizonte këtë epokë të suksesshme.

Që prej mbërritjes së tij në Bergamo, Gjimshiti ka kaluar nga një lojtar rezervë në një prej liderëve të vërtetë të dhomës së zhveshjes. Gasperini i ka besuar jo vetëm rolin taktik në fushë, por edhe përgjegjësi brenda grupit. Me largimin e trajnerit, Gjimshitit mund t’i duhet të përshtatet me një sistem të ri loje dhe me një filozofi ndryshe.

Emrat që qarkullojnë për stolin e Atalantës përfshijnë: Sarri, Igor Tudor, Rafaele Paladino, Tiago Mota dhe Vinçenxo Italiano. Të gjithë janë trajnerë të rinj, me qasje moderne, disa prej të cilëve preferojnë mbrojtjen me katër lojtarë, një ndryshim i madh për Gjimshitin, i cili ka shkëlqyer në një mbrojtje me tre. Megjithatë, me eksperiencën, profesionalizmin dhe ndikimin e tij në dhomat e zhveshjes, ka shumë gjasa që çdo trajner i ri ta konsiderojë Gjimshitin si një pikë referimi në ndërtimin e skuadrës së re.

Kapiteni kuqezi po lufton me Atalantën për një vend në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që ky forma e tij është optimal dhe në fund të muajit do të angazhohet me Kombëtaren për dy ndeshjet e radhës: me Serbinë dhe Letoninë, në muajin qershor, të cilat janë vendimtare.

sfidanti.al