Edicioni i 108-te i “Giro d’Italia” për herë të parë do zhvillojë tre garat e para të hapjes në Shqipëri. Nga 9-11 maji 2025 vendi ynë do presë garën elitë të çiklizmit në Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Organizimi i tre garave të hapjes i ka kushtuar Shqipërisë 7 milionë euro, me qeverinë shqiptare që ka miratuar kalimin e këstit të dytë prej katër milionë eurosh te organizatorët. Më herët 1 milionë euro ishin derdhur te organizatorët, ndërsa mbetet edhe shuma prej 2 milionë eurosh për t’u akorduar. “Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, në artikullin 605 “Transferta me jashtë”, të programit buxhetor “Zhvillimi i sportit”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të “Giro d’Italia 2025”, në Republikën e Shqipërisë.
Fondi sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025, dhe përdoret për kryerjen e pagesës së këstit të dytë, sipas përcaktimeve në kontratën e nënshkruar ndërmjet palëve, për vitin 2025. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë që mban datën 6 mars 2025. Gjithçka do të fillojë të premten e 9 majit me një etapë të mesme-malore që nis në Durrës dhe përfundon në Tiranë. Të shtunën më 10 maj, rrugët e kryeqytetit do të shndërrohen në një shesh beteje për një provë kohore individuale në kronometër me distancë 13.7 km. Gjithçka do të mbyllet të dielën e 11 majit (në ditën e zgjedhjeve) me një tjetër skenë të mesme malore, një kurs 160 km që fillon dhe përfundon në Vlorë.
sfidanti.al