Gasperini: Juvja na jep Kupën, ne mundim Milanin? Shpifje!

Në prag të një finaleje të Kupës të tillë, do të duhet të dëgjosh edhe kombinime të çdo lloji, nga ata që shohin vetëm ëndrra me konspiracione. Jo se mund të mos ndodhin, jo se mund të mos dyshosh, por është e pamundur të deklarosh a thua se ke me vete “kasetën e përgjimit” se “dy ekipe do të merren vesh për t’i prishur punë një të treti”. Në Itali e kanë të lehtë të flasin për “biskotën”, pra akordin “pas perdes” dhe disa dyshojnë se Juventusi është gati t’ia falë Atalantës Kupën e Italisë, vetëm e vetëm që kjo e fundit të ndalojë Milanin, pra të ndihmojë Juven që të kualifikohet në Champions.

“Këto janë budallallëqe, – tha trajneri bergamas, Gasperini, – janë shpifje. Ne jemi përgjegjës për fatin tonë, Milani e Juventusi janë përgjegjës për fatin e tyre. Do të bëjmë ç’mos për të fituar, po ashtu edhe të dielën, që të dalim në vend të dytë. Për 37 javë, renditja jonë është përcaktuar nga vlerat që kemi dhënë në fushë, nuk kemi ndërmend të ndryshojmë tani”. Këta konspiracionistët duhet thjesht të thellohen pak se vërtet Juvja mund të mos e lodhë Atalantën dhe t’i falë Kupën, por gjithsesi Milani mund t’ia dalë vetë në Bergamo, siç ia doli në fushën e Juves duke fituar 3-0!

Sfidanti.al