Ky trajner është një lloj artisti i fushës, veçse duket pak si shumë “platonik” në konferencë shtypi dhe në vijën anësore. Andrea Pirlo mund të jetë një nga personalitetet e futbollit, veçse nuk dihet nëse e ka natyrën për të ndezur lojtarët e për t’i bërë ata që të hidhën në zjarr, së pari për vete, pastaj për tifozët e fund për trajnerin e tyre.
Barazimi 1-1 në fushën e Beneventos ishte një goditje e rëndë për prestigjin dhe besimin e kampionëve dhe, besohet edhe tregues i ngopjes së madhe të disa prej lojtarëve. Me vetëm 1 fitore jashtë fushe këtë vit në kampionat, duket qartë se tek Juvja ka diçka që nuk shkon. “Mungon personaliteti”, – u shpreh Pirlo, sikur të thoshte se “mungoi Kristiano Ronaldon”. Ai theksoi se CR7-ta ishte i lodhur, por juventinët kanë vërtet një problem pa të, këtë sezon. Madje, edhe me Ronaldon, dy herë u dorëzuan në Champions, më parë me Ajaksin e vjet me Lionin.
Alvaro Morata shënoi në minutën e 21-të, por Gaetano Leticia barazoi fare në fund të pjesës së parë. Në sekondat përmbyllëse të ndeshjes erdhi kartoni i kuq për sulmuesin spanjoll. Juventusi ka 17 pikë ndaj 18 të Interit dhe Sasuolos, ndërsa pranë janë Roma, Napoli e Lacio.
Sfidanti.al