Në një kohë që FSHF e ka rritur stekën e propagandës me tre evenimente “madhore” si mbledhja e 11 federatave ballkanike, ekspozimi i trofeve të Man. City dhe mbërritja e Fabio Canavaros, futbolli i moshave po lëngon e madje duket se ka prekur fundin. Për sherrin masiv në ndeshjen Erzeni-Partizani të moshave deri në 21 vjeç janë proceduar penalisht 4 lojtarë të të dy ekipeve. Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 14:00, ndërmjet lojëtarëve të ekipeve të kategorisë U-21, “Erzeni” dhe “Partizani”, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet tyre, në fushën sportive “Tofik Jashari”,
Policia e Tiranës bën me dije se: “Pas përfundimit të ndeshjes, katër shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”. Për të ardhur keq ku po shkon futbolli i moshave, zemra e vërtetë e lojës, aty ku gatuhet fati i së ardhmes ndërkohë që shtëpia e futbollit vazhdon të punojë me përkushtim për të mbuluar me fasadën e propagandës gjithë problematikat e mprehta të futbollit shqiptar.
Nga Pirro Bardhyli