Gabimi i Valteri Botasit ishte i dukshëm në fillim, dhe Mercedesi humbi gjithë avantazhin që pati nga provat zyrtare, por gjithsesi nuk mjafton vetëm nisja për të shpjeguar atë që ndodhi në Çmimin e Madh të Meksikës. Maks Verstapen tregoi ambicien e një supertalenti 23-vjeçar që dëshiron të fitojë titullin e parë botëror në karrierë, dhe po ashtu skuadra Red Bull tregoi gjithë vullnetin e vendosmërinë e një ekipi dikur absolut, që prej 7-8 vitesh ka mbetur nën hijen e Mercedesit. Kjo bëri që Ljuis Hamilton ta kishte të pamundur t’i afrohej rivalit holandez duke dalë i dyti në Meksikë, por me mbi 16 sekonda vonesë prej tij. Fakti tjetër që tregoi nivelin e Red Bullit ishte kërcënimi që Sergio Perez i bëri Hamiltonit për ta parakaluar në xhirot e fundit, edhe pse nuk ia doli. Verstapeni kryeson renditjen e Botërorit të Formula 1 me 19 pikë më shumë sesa kampioni i botës në fuqi dhe 7 herë kampion i botës në karrierë. Duhen edhe 4 gara, janë në lojë edhe 100 pikë, por një “mbret” i ri duket se do t’ia zerë vendin “mbretit” të vjetër, duke mos e lejuar të thyejë rekordin e Mikael Shumaherit për të pasur 8 tituj botërorë.
Sfidanti.al