Real Madrid triumfoi në finale ndaj Dortmundit duke ngritur në “Uembli” të 15-tin trofe të Ligës së Kampioneve. Trofe që vjen për herë të fundit me formatin e zakonshëm sepse menjëherë nga sezoni i ardhshëm do të ndryshojë gjithçka. Formula vjen ndryshe si për nga numri i skuadrave pjesëmarrëse, për shorteun e për gjithçka tjetër. Pas më shumë se 20 vitesh do të ndryshojë gjithçka përsa i përket formatit, duke bërë që përballja mes skuadrave më të mira europiane të futet në një erë të re. Që nga sezoni i ardhshëm Champions-i do të pësojë një transformim dhe revolucion total: faza kualifikuese, formati, shorti, kalendari i ndeshjeve dhe oraret. Ky do të jetë ndryshimi i parë thelbësor i këtij kompeticioni që kur UEFA i dha fund periudhës eksperimentale me ndeshjet e dyfishta në fazën e grupeve mes periudhës 1999-2000 deri në sezonin 2002-’03. Kur bëhet fjalë për fazën kualifikuese, nuk ndryshon aksesi që do të kenë ligat dhe klubet në këtë kompeticion.
Do të mbeten të pandryshuara fazat kualifikuese deri në atë play-off, që do të çojnë skuadra drejt fazës së parë të kompeticionit duke i bashkuar me ekipet që e sigurojnë direkt nga kampionati pjesëmarrjen në Champions. Megjithatë, ndryshim është numri i skuadrave sepse nuk do të jenë më 32 por 36 të tilla që do të marrin pjesë. Katër vendet shtesë do të vijnë në bazë të një ndarjeje: Një vend për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në Champions, i shtohet kampionatit që renditet në vendin e pestë në UEFA, sa i përket renditjes së kombeve. Një vend i shtohet një kampionati, duke e rritur numrin e ekipeve të kualifikuara nga kualifikueset dhe faza play-off, nga katër në pesë të tilla, sa i përket rrugëtimit që do të kenë skuadrat kampione. Nga një vend për pjesëmarrjen direkte u shtohet dy kampionateve, ekipet e të cilave kanë bërë një rrugëtim më të suksesshëm në turnetë e UEFA-s, në edicionet e mëparshme, në bazë edhe të renditjes në UEFA. Respektivisht në këto dy kampionate, pjesëmarrja direkte në Champions, i jepet skuadrës që renditet menjëherë pas ekipeve që kanë të drejtën për të marrë pjesë. Konkretisht, këto dy vende për edicionin e ardhshëm i janë shtuar Serisë A italiane dhe Bundesligës gjermane. Gjithsesi, lista e skuadrave që shtohen si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta për sezonin pasardhës, atë 2024- 2025, bazohet në renditjen UEFA të skuadrave për edicionin 2023-2024, ku baza kryesore është koeficienti i përfituar si pasojë e ecurisë në pesë sezonet e fundit në kompeticionet europiane.
sfidanti.al