Forca e këtij Napoli? Kthehet Osimheni dhe siguron fitoren me Romën

Trajneri Luçiano Spaleti e kishte thënë që pas ndeshjeve në Champions, se e ka më të lehtë që të kthejë kokën nga stoli. Napoli i sotëm po i ngjan pak më shumë atij të Diego Armando Maradonës, që do të thotë se ka mundësi më të mëdha të besojë tek titulli. Fitorja 1-0 në “Olimpiko” ndaj Romës ishte sinjali i radhës pas suksesit 2-1 në “San Siro” ndaj Milanit. U desh goli i sulmuesit Viktor Osimhen (80’), që është kthyer më në fund nga dëmtimi. Edhe pa afrikanin napolitanët po fitonin, por kthimi i tij i jep më shumë mundësi Spaletit të bëjë rotacion. Në stol, ndaj Romës, ishin të tillë si Mario Rui, Deme, Elmas, Politano, Raspadori apo Simeone, ndërsa një titullar fiks si Amir Rrahmani nuk ishte fare në ekip. Në formacion ishin Meret, Zhezus, Oliveira, Di Lorenco, Zielinski, Lobotka, Ndombele (ardhur nga Totenhemi), Kvaraskelia, Osimhen dhe Lozano. Napoli ka 29 pikë ndaj 26 të Milanit kampion, me 9 fitore e dy barazime.

Sfidanti.al