Kjo ishte kërkesa që bëri menjëherë pas fitores. Florian Marku duket se e kishte menduar që më parë mundësinë e përballjes me ish-kampionin britanik të botës, diçka që do të ishte një reklamë e madhe për karrierën e tij. Boksieri shqiptar kërkoi Amir Hanin, ndërsa i dha fund në katër raunde përballjes me uellsianin Kris Xhenkins në ringun e Njukasëllit në Britaninë e Madhe. Me këtë fitore, Marku mbrojti titullin e kampionit të botës në peshat e mesme për Federatën IBF, por gjykon se në moshën 29-vjeçare duhet të ngjitet më lart. Përballja me Hanin mund të zhvillohet, madje mund të zhvillohet në Tiranë. Një nga promotorët e boksit, Ben Shalom, deklaroi se një ndeshje mes shqiptarit dhe Amir Hanit ka kuptim për të dyja palët dhe se Markut i është premtuar që të ketë një luftë në atdhe.
“Ne do të organizojmë një ndeshje të madhe me Markun në Shqipëri, – tha Shalom, – ne ia kemi premtuar këtë. Vetë boksieri dëshiron që të kthehet në vendin e tij. Mendoj se kjo ndeshje ka kuptim edhe për Markun, edhe për Amir Hanin”. Marku firmosi në janar një kontratë afatgjatë me televizionin Skaj dhe me agjencinë Bokser (Boxxer), gjë që do ta ndihmojë, ndërsa ai ka hyrë në një moment tepër të rëndësishëm të karrierës. Vetë Ben Shalom është pjesë e agjencisë Bokser. Gjithsesi, ish-boksieri veriirlandez, Karl Frampton, e ka këshilluar familjen e Amir Hanit që të mos lejoi që ai të kthehet në boks për t’u ndeshur me Markun, duke thënë kjo gjë duket se po bëhet vetëm për para. Frampton e bëri këtë thirrje sepse në muajin shkurt, Hani u mund bindshëm nga rivali Kell Bruk në vetëm 6 raunde.
Sfidanti.al