Një ekip që di të fitojë një kampionat është i rrezikshëm deri në fund. E tillë edhe skuadra e “Kamp Nout”, që në fushën e saj fitoi minimalisht derbin ndaj Espanjolit, dhe mbeti 1 pikë prapa Realit në renditjen e La Ligës. Për suksesin e radhës mjaftoi një gol i vetëm i Luis Suarezit, që edhe pse 33 vjeç, po e tregon veten si shpëtimtarin e kësaj Barcelone. Fitorja ishte e vështirë, pasi Espanjoli pati mundësi për avantazhin në pjesën e parë, dhe për të barazuar në të dytën, aq sa portieri vendas, Ter Shtegen, ishte lojtari i dytë më i mirë i katalanasve. Më i miri u vlerësua Antuan Grizman, që zhvilloi ndeshjen e dytë shumë të mirë, duke qenë më lart, sipas vlerësimit të tifozëve, sesa Mesi e Suarez. Grizman asistoi një gol të anuluar të Suarezit në pjesën e parë, dhe shërbeu me takë për golin e dytë të uruguajanit. Minus këtë herë për Ansu Fatiun që doli me të kuqe që në 50’ për një ndërhyrje të gabuar. Barcelona ka 76 pikë ndaj 77 të Realit, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e vet.
Sfidanti.al