Siti bën namin me gola, por Liverpuli mund t’i thyejë rekordin!

Nëse Bajerni nuk mundi të vendoste një standard më të lartë në Bundesligë për shënimin e golave, të kuqtë mund ta bëjnë në Premier Ligë për diçka tjetër. Përkundër fitores gjithë duf të Mançester Sitit, 5-0 ndaj Njukasëllit, Liverpuli triumfoi pak më qetë, 3-1 në fushën e Brajtonit, duke vazhduar marshimin. Edhe pas humbjes me Sitin dhe barazimit në derbin ndaj Evertonit në “Gudison Park”, sërish Liverpuli është në rrugën e duhur për të vendosur rekordin e ri të pikëve në kampionatin anglez. Rekordi i tanishëm është i Sitit me 100 pikë, ndërsa skuadra e Jurgen Klopit ka 92 pikë, ndërsa duhen edhe 4 ndeshje deri në përfundim.

Në fushën e Brajtonit, golat u shënuan nga Mohamed Salah, Xhordan Henderson e sërish Mohamed Salah, ndërsa vendasit shkurtuan diferencën përkohësisht në 1-2 me rrjetën e bukur të Leandro Trosarit (Trossard). Siti, ndërkaq, shënoi pesë herë me autorë Gabriel Zhezusin, Rijad Mahrezin, Federiko Fernandezin (autogol), David Silvën dhe Rahim Stërlingun. Skuadra e Pep Guardiolës ka 69 pikë, ndërsa u trondit pak ditë më parë pasi u mund në fushën e Shefild Junajtidit.

Sfidanti.al