Kur edhe një legjendë si Sër Aleksi dorëzohet, do të thotë se sfida është në kufijtë përtej të mundshmes. Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë në Angli që të fitonte një “treshe” trofesh kombëtarë në një sezon të vetëm, pra titullin kampion, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës. Tashmë, dikush e krijoi epokën, e bëri të pamundurën të mundur, dhe kush tjetër përveç Mançester Sitit të Pep Guardiolës. Edhe në Europë, këtë e kanë bërë shumë pak skuadra të mëdha, vetëm Bajerni, Paris SG, Rejnxhërsi e Sëlltiku apo Benfika.
Një triumf i përmasave historike u arrit me një rezultat gjithashtu historik, me rezultatin më të thellë të finales së Kupës së Anglisë në 116 vjet, dhe duke barazuar rezultatin më të thellë të të gjitha kohëve: 6-0. “Viktima” ishte Uatfordi, një skuadër shumë e mirë përderisa kishte mbërritur në “Uembli”, por për të cilën finalja erdhi në momentin më të keq, atëherë kur “qytetarët” ishin më të frymëzuar se kurrë. Autorë të golave ishin David Silva, Gabriel Zhezus, De Brujn, Gabriel Zhezus, Stërling dhe sërish Stërling.
Epërsia ishte e jashtëzakonshme, edhe pse Uatfordi e nisi mirë, duke pasur rast goli, e duke pretenduar për penallti. Për fat të keq, nuk ia doli të shënonte, dhe u shkatërrua pasi pësoi të parin. Siti mbajti topin 70 për qind, pati 23 gjuajtje drejt portës, me 11 në kuadrat (2, Uatfordi), si dhe kornet 13-1.
Siti u bë skuadra e parë në Angli që arrin 50 fitore në një sezon, në çdo garë kombëtare. Po ashtu, ajo vendosi një rekord në Angli duke shënuar 169 gola në një edicion, ndonëse nuk e barazoi apo theu dot rekordin e Barcelonës së Guardiolës në 2012, që shënoi 190 gola.
Sfidanti.al