Fatmir Frashëri, plotëson brezin e viteve 60-të në Përjetësi!

Shumë prej tyre sot nuk jetojnë. Ali Mema, Osman Mema, Skënder Halili, Skënder Hyka sa për të thënë disa emra, pa harruar profesorët e tyre Xhavit Demneri e Myslym Alla. Formacioni i lavdishëm i viteve 60-të po formohet përsëri, tashmë në Përjetësi, dhe me të u bashkua edhe një nga legjendat më të shquara, Fatmir Frashëri.

Në moshën 78-vjeçare, ish-mbrojtësi legjendar u nda nga jeta pas një sëmundjeje vërtet të rëndë, nga e cila vuajti edhe i pashuari tjetër, Ali Mema. Shpërfytyrimi i kohëve të fundit nuk kishte aspak të bënte me Fatmirin e vërtetë, as me familjen e tij, sidomos me të shoqen, që ishte po aq e mirë, e ndoshta edhe më shumë.

Fatmir Frashëri fitoi status gjysmë perëndie qysh sa ishte gjallë, për emrin dhe mbiemrin, për statusin e tij në futboll, por edhe për edukatën dhe qytetarinë, që e kishte si shumë të tjerë të lavdishëm të atij brezi, jo vetëm tek 17 Nëntori (Tirana) i atëhershëm, por edhe tek Partizani, Dinamo, Vllaznia apo Flamurtari, për të kujtuar klubet më të njohur.

Si lojtar fitoi 4 tituj kampion me 17 Nëntorin në vitet 1965-1970, e 2 tituj me Partizanin në 1962 e 1964, dhe si trajner ia doli me Tiranën në 2003. Me fanelën në trup shkëlqeu në kupat e Europës ndaj Kilmarnokut apo Ajaksit të Amsterdamit, si trajner i Dinamos doli kampion në 1986 dhe u përball denjësisht me Sportingun e Lisbonës (0-0, 0-1) në Kupën UEFA në 1985.

Sfidanti.al