Një fitore minimale dhe një humbje 0-2. Këto ishin rezultatet e dy skuadrave të tjera shqiptare në Ligën e Europës. Suksesi ishte i Skënderbeut, veçse jo me shifrat që priteshin ndaj amatorëve të Sant Zhulisë. Humbja i takoi sipas parashikimit, Tiranës, por bardheblutë u paraqitën shumë më mirë sesa mendohej në një aventurë që dukej pa shpresë.
Korçarët e trajnerit Daja shënuan vetëm një gol, vërtet shumë të bukur, me anë të Liridon Latifit. Ishte po futbollisti nga Kosova që humbi një penallti përpara sesa të realizonte golin. Natyrisht, ish-kampionët luajtën shumë më mirë sesa kundërshtarët modestë nga Andorra, por fitorja 1-0 nuk jep asnjë garanci për kualifikim. Gjithsesi, skuadra shqiptare ka përvojë dhe mund t’ia dalë që të fitojë edhe jashtë fushe.
Tirana nuk e përballoi dot Makabin e Tel Avivit, të ndihmuar edhe nga mijëra tifozë izraelitë në stadiumin e Netanjës. Trajneri Ze Maria e përgatiti shumë mirë ndeshjen duke e vendosur ekipin në mbrojtje, duke pasur shumë lojtarë të rinj në formacion dhe vetëm 10 ditë kohë për ta stërvitur. Izraelitët shënuan një gol në pjesën e parë me anë të Kohenit, ndërsa në minutën e 64-ët Dasa dyfishoi shifrat. Tirana nuk mundi të reagonte, por të paktën shmangu më të keqen, dhe ndoshta mund të ketë shpresa në kthim.
Sfidanti.al