Siç e kishte “ujdisur” shorti, ashtu edhe doli. Tirana u duk që në fillim pa shpresë, dhe shpresat i pati të kota, Partizani ndoshta edhe mund t’ia kishte dalë, veçse me “ndoshta” nuk ecet dhe të kuqtë u eleminuan me dy humbje dhe me rezultatin e përgjithshëm 1-4. Vetëm Skënderbeu “fatlum”, por edhe i fortë, ia doli. Korçarët me përvojë shfrytëzuan deri në fund potencialin e tyre dhe amatorizmin e kundërshtarëve duke i mposhtur 5-0 në shtëpi të tyre.
Sant Zhulia, nën nxitjen e sapo pak tifozëve, u përpoq të luante më agresivisht, por nga kjo e pësoi. Skuadra shqiptare, e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, kontrolloi përballjen pas fitores 1-0 në Korçë, dhe i dha që në fillim drejtimin që dëshironte. Blerja e re, sulmuesi serb Vujoviç, shënoi golin e parë që në minutën e dytë. Më pas, Xhejms realizoi të dytin në 38’, duke i dhënë fund çdo diskutimi. Pjesa e dytë u menaxhua mirë nga ish-kampionët e Shqipërisë, që u dukën të kënaqur me shifrat 2-0, veçse pikërisht në 14 minutat e fundit (përfshi edhe shtesat) u bë “nami”. Latifi shënoi golin e tretë në 79’, rrjetë që u quajt autogol i Britos, Vangjeli realizoi të katërtin, ndërsa sërish Latifi vulosi shifrat 5-0.
Partizani, ndërkaq, u thye minimalisht në Bullgari, me golin e vetëm shënuar nga Felipe Brisola në 22’. Botevit kishte fituar 3-1 edhe në kryeqytet takimin e parë. Të kuqtë nuk luajtën keq në stadiumin e Burgasit, por kjo nuk ia shmangu dot humbjen. Në turin e dytë të Ligës së Europës kalon vetëm Skënderbeu, pra, që do të ketë kundërshtar Kairatin e Almatit në Kazakistan.
Sfidanti.al