Kualifikueset e Euro 2024 në një tjetër mbrëmje emocionuese me rezultate surprizë. Në grupin A, nëse më herët Spanja shkatërroi Gjeorgjinë me një rezultat të thellë 7-1, Skocia ruan ritmin e saj të frikshëm duke rrëmbyer fitoren e radhës, 3-0 në transfertë përballë Qipros. Skocezët kryesojnë grupin me 15 pikë, ndjekur nga Spanja me 6, Norvegjia e Gjeorgjia me 4 dhe në fund Qipro me zero pikë.
Armenia në grupin D, vetëm në momentet e fundit ka parë t’i largohet fitorja nga duart, duke barazuar 1-1 në transfertë me Turqinë. Armenët udhëhiqnin sfidën deri në minutën e 88-të me një gol të shënuar nga Dashyan në fillimin e pjesës së dytë, por Yildirim arriti të vendosë barazpeshën duke shpëtuar turqit. Turqia udhëheq grupin me 10 pikë. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Kroacia ka arritur të mposhtë Letoninë me rezultatin 5-0. Petkovic(3’ dhe 44’), Ivanusec 13’, Kramaric 68’ dhe Pasalic 78’ janë autorët e golave.
Fitore e rëndësishme e Portugalisë, 1-0 përballë ndjekësit më të afërt në grupin J, Sllovakisë. Një gol i Fernandes në minutën e 43-të, me asistimin e Bernardo Silvës bëri që portugezët të vazhdojnë me ritmin e tyre duke kryesuar me pikë të plota, 15 të tilla. Sllovakia e ndjek në kuotën e 10 pikëve. Në dy sfidat e tjera të këtij grupi, Bosnja ka mundur 2-1 Lihtenshteinin, ndërsa Luksemburgu ka mundur Islandën me rezultatin 3-1.