Etika e punës e Sitit të Guardiolës dhe batuta e Brendan Roxhersit

Pasi skuadra e “Qytetarëve” bëri detyrën ndaj Leisterit duke fituar 2-0 në Premier Ligë, trajneri i saj katalanas nuk i kurseu lavdërimet. Pep Guardiola gjykoi se Mançester Siti ka si themel të suksesit punën e futbollistëve, më shumë sesa talentin. “Ne mund të luajmë mirë ose keq, – tha ai, – por, ne gjithnjë japim maksimumin. Lojtarët e mi vrapojnë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin, ne kemi etikë shumë të mirë pune. Gjëja që më pëlqen më shumë është se ne kemi solidaritet”. Shumë nga yjet e Sitit erdhën tepër vonë nga ekipet kombëtare, por Guardiola ka fatin që ekipi i tij ka 22 lojtarë të shkëlqyer.

Imagjinoni, kur në stol ishin Gyndogan, Stërling, Stouns, Kanselo, Bernardo Silva, Fil Foden dhe Ferran Torres, ndërsa në fushë ishin Ederson, Mendi, Laporte, Dias, Uolker, Fernandinjo, Rodri, Gabriel Zhezus, De Brujn, Mahrez dhe Aguero. Çfarë mund të bësh ndaj këtij ekipi? Pikërisht këtë theksoi trajneri i Leister, Brendan Roxhers. “Nëse më jepni 500 milionë paundë stërlina, ndoshta do të ndërtoj një ekip që të jetë më pranë Sitit, – tha ai, – ndaj një rivali të tillë nuk mund të bësh asnjë gabim. Natyrisht, skuadra më e mirë fitoi, sepse kur Siti shënon ka aftësinë të të fshehë topin”. Tani, vëmendja e Sitit dhe e Guardiolës zhvendoset në Champions ku nesër luajnë ndaj Dortmundit.

Sfidanti.al