Erling Halandi i lumtur që i shënoi dhe mundi Bajernin!

Në një anë ka festë, ndërsa në krahun tjetër dëshpërim dhe nerva. Pati pasoja dueli në Amerikë mes Mançester Sitit dhe Bajernit, ndonëse nuk u luajt për asgjë zyrtare, dhe fitorja e anglezëve solli disa rrufe, ndoshta më të forta sesa ato që ndërprenë dy herë ndeshjen në stadiumin e Gjirit të Gjelbër në Uiskonsin. Goditja e veçantë ishte që Erling Halandi shënoi në debutim, dhe ishte tepër i lumtur që i realizoi pikërisht Bajernit, një ekipi që ia nxiu jetën për sa kohë ishte tek Dortmundi. A u habit që u përshtat kaq shpejt me shokët e tij të rinj?

“Kam parë mjaft ndeshje të vitit të fundit të Sitit, – tha ylli 21-vjeçar, – kam parë se ekipi luante pa sulmuesi tipik dhe kuptohet që unë e imagjinoja veten në situata të tilla. Kjo më ka ndihmuar dhe nuk jam i habitur me faktin që shënova. Në të vërtetë ishte bukur që fituam ndaj Bajernit, dhe që ndeshja ime e parë ishte pikërisht ndaj Bajernit. Kisha pësuar 7 humbje radhazi, prandaj ndihem mirë. Cilësia jonë ishte e mirë dhe Bajerni ishte testi i duhur përpara nisjes së sezonit”.

Ndeshja u ndërpre dy herë nga rrufetë, ndërsa moti nuk ishte aspak miqësor në brigjet e Liqenit të Miçiganit, duke ndërprerë ndeshjen dy herë në 10 minuta. Mediat i bënë jehonë sfidës. “Bajern i zbehtë, e godet Halandi, – shkruan revista gjermane “Kiker”, – Bavarezët humbasin me Sitin në kaosin e stuhisë dhe rrufeve!” “Erling Halandi shënon golin e fitores në debutim ndaj kampionëve të Bundesligës, – titullon tabloidi britanik “Deili Meil”, – por, rrufetë ndërprenë ndeshjen dy herë”.

Çfarë mund të thotë trajneri bavarez, Julian Nagelsman, ndërsa kritikat ishin që skuadra e tij ishte tepër dobët, dhe se vetëm ndonjë lojtar i veçantë e shpëtoi nga mbytja “anijen” e Bajernit. “Ne nuk patëm aspak kontroll mbi ndeshjen nëj 10 minutat e para, – tha ai, – pas pushimit ishim më mirë dhe Musiala ishte i shkëlqyer në pjesën e dytë. Ne duhet të mendojmë për më vonë, nuk jemi ende në formën maksimale. Besoj se kjo do të ndryshojë dhe do të dimë ta zëvendësojmë Levandovskin”. Pas 8 vitesh Bajerni do të duhet të luajë pa legjendën polake që kaloi tek Barcelona, ndërsa Bundesliga do vetëm 11 dite që të fillojë.

Sfidanti.al